Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi iu përgjigj ashpër kryedemokratit Lulzim Basha, pas reagimit të këtij të fundit për djegien e plehrave në Fier.
Sipas Subashit, Basha dhe përfaqësues të opozitës nuk mund të flasin për këtë çështje sepse janë fajtorë për pengimin e impiantit të ri për dy vjet. Ai shtoi se gjithçka do të marrë fund një herë e mirë brenda disa ditësh.
“Lulzimi paska reaguar sot për plehrat në Fier!! Po si ka mundësi?! Ku e gjen të drejtën morale?! Lulzimi dhe të “tijët” në Fier që votuan kundër në Këshill Bashkiak për emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese 70-vjeçare, që votuan kundër dhe bënë të gjitha përpjekjet për të penguar investimin e qeverisë për impiantin e ri, që organizuan pafund protesta duke helmuar mendjet e njerëzve për ndërtimin e impiantit të ri, duke e shtyrë rreth 2 vjet në kohë përfundimin e tij, që vazhdojnë të shpifin pa fund për gjoja helmimin e ujërave, të ajrit, të tokës nga impianti i ri, sot dalin dhe bëjnë të pafajshmin, apo të paditurin?! E kanë të kotë! Edhe pak ditë dhe historia e plehrave për Fierin në atë fushë 70 vjeçare do të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ajo fushë do të jetë një kujtim i hidhur për të gjithë, por në rradhë të parë do të jetë njolla e turpit për Lulëzimët që donin ta mbanin gjallë me çdo mjet e mënyrë. Fund plehrave në qytet!”, u shpreh Armando Subashi në “Facebook”.