Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, ndërsa tregon objektivat e 2021, nuk e mohon që viti i kaluar ishte shumë i vështirë për turizimin. Mirëpo këtë sezon turistik, ai tha se janë përgatitur që në fillim të vitit, me të gjitha kapacitetet që ofron qyteti.
Në një intervistë për “Quo Vadis”, ai shprehet se investimet e kryera së fundmi, e kanë përmirësuar ndjeshëm ofertën turistike të Sarandës.
“Saranda ka një strukturë akomoduese mjaft të sofistikuar. Kemi pasur dyndje turistësh jo vetëm nga qytetet e tjera të Shqipërisë, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Serbia etj. Është trend i ri, ai I tursitëve rusë. Saranda i ofron të gjitha: detin, diellin, dashurinë.”
Gurma theksoi se ndryshe nga vitet e kaluara, këtë sezon plazhet janë të lira dhe pa asnjë lloj pagese.
“Saranda, në të gjithë vijën e saj bregdetare, ka 140 stacione plazhi, të cilat kontraktohet nga operatorët jopublikë. Sa i përket çështjeve së plazheve publike, ne, si bashki, marrim iniciativën që e gjithë vija bregdetare brenda qytetit do të jetë free dhe pa pagesë për qytetarët. Vitin e kaluar është operuar me një çmim minimal nga bashkia. Siç e shikoni, plazhet janë të lira dhe pa asnjë lloj pagese. Kjo është zgjedhja që ne kemi bërë për t’iu ardhur në ndihmë edhe qytetarëve që nuk kanë mundësi. Kushdo mund t’i aksesojë pa asnjë lloj pagese”
I pyetur se sa e shtrenjtë është Saranda për një turist, kryebashkiaku tha se çmimet janë optimalisht të pranueshme.