Partia demokratike publikoi këtë të mërkurë programin e saj për energjinë ku në fokus është lehtësimi i kostos së faturës për qytetarët. Por si parashikon PD të reduktojë këto kosto?
Ne do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.-shpjegoi Basha
Paralelisht me këtë fakt, raporton Vizion Plus, partia demokratike thotë se do të liberalizojë tregun duke ngritur bursën e energjisë elektrike.
Ne do të liberalizojmë tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë. Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë. Biznesi do të furnizohet më lirë dhe më mirë, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e tij dhe mundësitë për të gjeneruar punësim.
Në programin e saj PD premton se do të eliminojë përdorimin e gjeneratorëve për bizneset.
Ne do të zhdukim nga qarkullimi gjeneratorët, sepse është skandal për ekonominë shqiptare që në vitin 2021, siç e dëgjuam edhe nga vetë të dhënat e Bankës Botërore, gati gjysma e bizneseve deklarojnë se përdorin gjeneratorin për furnizim.
Në fokusin e PD është edhe bashkimi i tregjeve të energjisë me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji eletrike.