Policia nuk ka ende një emër të autorit të ngjarjes që ndodhi mbrëmjen e së dielës në Korçë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri, 53 vjeçari Romeo Berberi.
Në vendin e ngjarjes pak metër larg lokalit ku u plagos 53 vjeçari janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja të cilat janë qitur nga një armë e tipit pistoletë.
Dyshohet që autori të ketë qëlluar ne menyrë të çrregullt disa herë në drejtim të lokalit, ndërsa një plumb rikoshet ka goditur në këmbë 53 vjeçarin i cili ka tentuar të largohet pas të shtënave të para.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se objektivi i sulmit me armë dyshohet të mos jetë Berberi, ndërsa po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse autori ka dashur të paralajmërojë një tjetër person, që mund të ketë qenë i pranishëm në lokal gjatë ngjarjes. Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje të plagosurin dhe disa persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e sulmit, por deri tani nuk ka mundur të nxjerrë informacione të vlefshme, që do bënin të mundur identifikimin e autorit dhe zbardhur motivet e tij.
Policia ka sekuestruar dhe po eksperton pamjet filmike të kamerave të disa bizneseve që pozicionohen përgjatë rrugës kryesore, për të zbuluar nëse autori është larguar pas ngjarjes në këmbë apo me mjet. Berberi ka deklaruar se nuk ka pasur konflilte me përsona të tjerë nderkohë që për shkak të errësires nuk ka arritur të dallojë përsonin që ka qëlluar.
Grupi i hetimit edhe diten e sotme është rikthyer dhe një herë tjetër në vendin e ngjarjes.