Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar për plagosjen e efektivit të policisë në Himarë, Redin Çaushaj. Balla shprehet se nuk do të tolerohet askush që guxon të ngrejë dorën mbi uniformat blu.
“Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit”, shkruan ai.
Balla vlerëson gjithashtu ndërhyrjen e efektivit të policisë për shuarjen e një konflikti, ndonëse jashtë shërbimit. Ai bën me dije se autori i plagosjes së efektivit është vënë në pranga dhe kërkon hetim të ngjarjes si dhe ndëshkim të ashpër për të.
“Redin Caushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm. Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndëshkim të ashpër për fajtorin”, shton Balla.
Redin Çaushaj u plagos gjatë natës, ndërsa po përpiqej të shuante një konflikt mes një grupi personash. Ndërhyrja rezultoi fatale për të, pasi një nga të përfshirët e qëlloi me thikë duke i shkaktuar plagë të rënda.