Berisha ka treguar arsyen e tij pse nuk e padit kryeministrin Rama për shpifje pas akuzave dhe thirrjes së tij ndaj SPAK për hetime.
Në përgjigjen e tij ndaj gazetarëve Berisha u shpreh se nuk ia vlen të harxhosh kohën me padi ndaj kryeministrit duke shtuar se përgjigjja më e mirë është si opozitë e vërtetë.
“Ashtu siç e shifni dhe ju ai kontrollon çdo gjë. Të harxhosh kohë me të? Se ka dhe koha cmimin e vetë! Përgjigja më e mirë që mund t’i jap unë zotit Rama është si opozitë e këtij vendi, ajo e tmerron zotin Rama. Shumë shpejt do ta kuptojë se është vetëm fillimi i opozitës së vërtetë . Nuk mund të pajtohet opozita me këtë pafundësi vjedhjesh.”– u shpreh Berisha
Për më shumë, Berisha ka krahasuar kunatin e tij me baxhanakun e kryeministrit Rama duke përmendur tenderat e përfituar nga ky i fundit.
“Rama ka baxhanak, unë kam një kunat, janë pak a shumë njësoj. Më gjej një tender që kunati im ka përfituar nga qeverisja e PD!
Doni t’ju them unë nja 50 tendera që ka përfituar baxhanaku famoz I zotit Rama? Famozi nuk lë tender me ra në tokë”- tha ish-Kreu i PD.