Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli është përplasur me Këshillin Bashkiak. Këshilltarët kanë thirrur një mbledhje jashtë radhe, me prezencë fizike, për të kërkuar llogari për punët publike në qytet. Por Leli ka ngritur pretendimin se po shkelen rregullat anti-COVID.
Për këtë arsye, ai ka kërkuar që mbledhja të mbahet online dhe ka bllokuar hyrjen e sallës ku do të mblidhej Këshilli Bashkiak. Anëtari i Këshillit, Anduel Tahiraj akuzoi Lelin se po pengon të zgjedhurit e qytetarëve të kryejnë detyrën.
“Mënyra sesi kryhet mbledhja përcaktohet nga Këshilli, jo nga kryetari. Numri i pjesëmarrësve në mbledhje është brenda përcaktimeve ligjore për masat anti-COVID. Leli liron sallën për partitë politike, ia mbyll Këshillit Bashkiak. Akti i tij tregon papërgjegjshmëri, po cenon qytetarët e Vlorës. Leli ka humbur besimin e qytetarëve dhe mbështetjen e PS-së. Këshilli është i vendosur të garantojë transparencë në punët publike të qytetit. Do të përdorim të gjitha instrumentet e kontrollit/auditimit që ka Këshilli për të garantuar llogaridhënien.”