Banorët e Shkodrës kanë fajësuar autoritetet, si përgjegjës kryesor për përmbytjen që ka ndodhur që prej mbrëmjes së djeshme.
Stuhia e shiut në fshatin Bleran të Njësisë Administrative Rrethina në Bashkinë e Shkodrës ka dëmtuar banesat në këtë zonë. Në zonën e Bleran-Bardhaj gjatë natës ka shkaktuar dëme të mëdha, duke dëmtuar edhe infrastrukturën. Reshjet e shiut kanë qenë të dendura. Deri tani mësohet se rreth 30 banesa kanë prezencë uji.
Banorët shprehen se mospastrimi i kanaleve ndër vite ka sjellë këtë situatë.
“Ka ardhur stuhia nga ora 02:30. Shihni vetë. 1 metër e gjysmë ujë. Çfarë kam pasur brenda në shtëpi më ka bërë dëm. I ka shembur uji të tëra, avllinë. Ka 30 vjet që shteti nuk pastron kanale. Kam marrë në telefon policinë në 03;00 të natës; hajdeni mo se u mbytën të tan mrena. Uji ka qenë 1 metër e gjysmë. Ka thënë policia nuk mundemi të vijmë se është përmbytur e gjithë Shkodra. Apeli im është që të pastrojnë kanalet”, thotë një banor.
Deri tani, autoritetet duket se janë “në gjumë”, duke mos pasr asnjë reagim nga ana e tyre për zgjidhjen e situatës që është krijuar.