Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në dy komunat më të madhe të Kosovës, atë të Prishtinës dhe Prizrenit.
Bazuar në rezultatin preliminar të Komisionit Qendror Zgjedhor, pas numërimit të 238 vendvotimeve, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Komunës së Prishtinës, Arben Vitia ka arritur të grumbulloj 35 mijë e 433 vota apo 42,33 për qind.
10 mijë e 906 vota më pak ka arritur të grumbulloj kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama kështu duke fituar 29,35 për qind të votave.
Kryeqyteti i Kosovës nuk ka arritur të shpall fituesin në raundin e parë kështu, Kandidati i LVV-së Vitia do të garojë me atë të LDK-së Rama në balotazh me 14 nëntor të këtij viti.
Ndërsa Urani Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës është renditur i treti kështu duke arritur të grumbulloj 18 mijë 119 vota apo 21,64 për qind. Daut Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 3 mijë 769 vota apo 4.50 për qind dhe Gëzim Mehmeti i Aleancës Kosova e Re me 1 mijë 582 vota apo 1.89 për qind.
Në anën tjetër në Prizren kandidati për Kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e LVV-së, Mytaher Haskuka ka marrë 23 mijë e 504 vota apo 40.43 për qind.
Kështu Haskuka për të udhëhequr Prizrenin edhe për një mandat si kryetar komune duhet të ballafaqohet në balotazh me kandidatin e PDK-së për kryetar të komunës, Shaqir Totaj i cili ka arritur të marrë 18 mijë e 78 vota apo 31.10 për qind.
I treti është Anton Quni i LDK-së me 8 mijë e 705 vota apo 14.98 për qind.
Numërimi total i votave ka përfunduar edhe në Komunën e Pejës kështu që kandidati për kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka arritur të fitoj të drejtën për të udhëhequr komunën e Pejës edhe për një mandat tjetër duke grumbulluar kështu 22 mijë e 778 vota apo 60,41 për qind.
I dyti në komunën e Pejës ka dalë Gazmend Agusholli nga LVV duke grumbulluar 8 mijë e 431 vota apo 22,36 për qind të votave.
Rrustem Berisha nga radhët e AAK-së ka grumbulluar 6 mijë e 173 vota apo 16,37 për qind.