Partia Demokratike ka reaguar pas akuzave të Sali Berishës, të bëra këtë të diel në Dibër, teksa prezantonte kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” në Dibër për zgjedhjet e 6 marsit, Përparim Kryemadhi.
Në njoftimin e PD theksohet se ish-kryeministri nuk fshihet dot me gënjeshtra ordinere.
“Dite e re mashtrim i ri. Non grata mundohet të fshehë aleancën e tij të non gratave dhe me krimin, me gënjeshtra ordinere. Non Grata duhet t’u tregojë demokratëve, pse njerëzit e Qifes drejtojnë fushatën e tij në Vorë dhe Rrogozhinë? Pse njerëzit e tij negociojnë për të ndarë territore me Vangjush Dakon? Pse njerëzit e Tom Doshit bëjnë fushatë për të në Shkodër? Çfarë pazari ka bërë non grata me Qifen, Dakon e Doshin, që nuk u permendi dot as emrin? Të tjera pyetje kemi për non gratën që po përdor mekanizmat, biznesmenët dhe kriminelët e Edi Ramës për vota. Me mashtrime dhe gënjeshtra, non grata nuk u fshihet dot demokratëve. Ata e dinë mirë që ai është gati ta shkatërrojë PD për hallin e tij. Prandaj vota për Berishën dhe Metën, mban Ramën.”