Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka reaguar pas kërkesës së PD-së për t’i hequr mandatin e deputetit, me pretendimin se ka përfituar të ardhura nga buxheti i shtetit në vlerë disa milionë lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës kur ushtron edhe mandatin e deputetit.
“Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.
Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend“, thuhet në njoftimin e PD.
Në reagimin e tij ditën e sotme, deputeti Sinaj deklaron se në vitin 2017 ka hequr dorë nga administrimi i bizneseve të tij, duke iu përkushtuar vetëm politikës. Ai thekson se nuk ka përfituar para nga buxheti i shtetit dhe bën me dije se rrogën e tij të deputetit e dhuron për personat në nevojë.
Reagimi i deputetit Vullnet Sinaj
Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Gjobëvënësit mediatikë e përsërisin këtë këngë gjinkallash nga viti 2017. Por, surpriza është që thashethemet e portaleve përdoren nga opozita duke i kthyer në akte politike.
Per sa më sipër, deklaroj me përgjegjësi të plotë:
– Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës.
– Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi.
– Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet.
Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit.