Ish-kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi reagoi pas daljes publike të ish-kryeministrit Sali Berisha këtë të enjte, ku nuk kurseu sulmet për ambasadoren Yuri Kim.
Patozi tha në rrjetet sociale se ndonëse kryedemokrati Lulzim Basha duhet të bëjë një zgjedhje për Sali Berishën, ai deri tani ka dalë i fituar. Sipas tij, po merr vlerësime si nga Kim, ashtu edhe nga Berisha.
“DERI TANI KA “FITUAR” VETËM BASHA
Dënimi amerikan për Berishën duket se do të mbetet e vetja temë e rëndësishme politike e kësaj vere tmerrësisht të nxehtë. Por çudia e madhe e këtij debati, që po arrin kulme të reja, është Lulzim Basha, i cili po shkëlqen edhe me heshtjen e vet. Sepse deri tani ia ka dalë që të marrë njëkohësisht vlerësimet e të dyja palëve ndërluftuese, si të Sali Berishës, ashtu edhe të ambasadores Kim. Të dy ata kanë deklaruar se kanë pasur një bisedë shumë të mirë me kryetarin e PD për çështjen e doktorit “non grata”. Si të mos ishte hallexhiu, që duhet të bëjë patjetër një zgjedhje përvëluese, por si ta kishin caktuar arbitër apo ndërmjetësues për ta mbyllur luftën pa të lënduar. Dhe kjo është meritë, që i duhet njohur, të paktën deri në shtator.”