Një dëshmitare ka parë vrasësit e gazetarit grek Giorgios Karaivaz, i cili u ekzekutua 3 ditë më parë në Athinë përpara shtëpisë së tij.
Gruaja, e cila ka kaluar rastësisht në atë rrugë, i ka thënë policisë se i pa dy autorët që lëviznin me motor, disa minuta para se të vritej gazetari. Sipas dëshmisë së saj, që është publikuar edhe nga e përditshmja greke “Protothema”, njëri prej vrasësve ishte veshur me jelek antiplumb.
“Po hiqte bluzën dhe kishte veshur një jelek antiplumb. Pashë që ishte me flokë të prera shkurt. Pashë gjithashtu që kishte veshur pantallona ushtarake dhe kjo më dukej e çuditshme”, tha dëshmitarja okulare.
Më pas ata u pozicionuan pranë shtëpisë së gazetarit Karaivaz dhe e qëlluan me breshëri arme sapo ai mbërriti aty, duke e lënë të vdekur në vend. Gruaja ka thënë gjithashtu se kishte vënë re nervozizëm tek autorët dhe sjellja e tyre i dukej e çuditshme.
Giorgios Karaivaz ka qenë prej vitesh gazetar investigativ i cili mbulonte sektorin e kronikës së zezë. Deri më tani policia greke nuk ka arrestuar asnjë person për vrasjen mafioze që tronditi Athinën.