Enkelejd Alibeaj, i prezantuar në KQZ si kryetar i komanduar i Partisë Demokratike ka mbledhur Grupin Parlamentar dhe Kryesinë, për të diskutuar për agjendën e zgjedhjeve lokale, pas dorëzimit të kërkesës për regjistrimin në vendoret e 14 majit.
Në mbledhje janë të pranishëm 18 deputetë, Selaudin Jakupllari, Ramadan Likaj, Lefter Gështenja, Flutura Açka, Merita Bakiu, Eralda Tase Bane, Andia Ulliri, Flamur Hoxha, Arbi Agalliu, Kreshnik Collaku, Gazment Bardhi, Sajmir Korreshi, Dhurata Çupi, Zheni Gjergji, Bledion Nallbati, Dashbor Sula, Jorida tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.
Enkelejd Alibeaj i ka bërë thirrje kandidatëve të dalë nga primaret e Sali Berishës që të futen në garën elektorale të 14 majit nën siglën zyrtare të PD-së.
“Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjerë, i propozoj kësaj kryesie hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në mënyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik”, tha Alibeaj.
Pas mbledhjes së kryesisë , deputetja Jorida Tabaku tha se PD duhet të dalë e bashkuar në zgjedhje dhe se përballë nuk kanë njëri-tjetrin, por Edi Ramën. Për Lulzim Bashën, Tabaku tha se ai është e shkuara dhe se duhet të shohim nga e ardhmja.
“Nuk ka rëndësi se çfarë pozicion kam unë. Duhet të ngrihemi mbi veten tonë për të ofruar një ofertë serioze për PD-në, në zgjedhjet e 14 Majit. Sot është momenti që të bashkuar të ofrojmë atë që nuk e ofruam dot në vitin 2019. Shqiptarët presin një ofertë serioze nga partia Demokratike. Unë do të jem gjithmonë për bashkimin e Partisë Demokratike. Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen. Është e shkuara e PD-së, ne duhet të shohim nga e ardhmja. Data me firmën e tij është 18 Mars 2022″, është shprehur deputetja Tabaku.
Gazment Bardhi, në mbledhjen e Kryesisë është shprehur se opozita duhet të dalë me kandidatë unik për vendoret e 14 majit, për të pasur një rezultat sa më pozitiv.
Ai shtoi se gjuha e urrejtjes nuk duhet të jetë brenda partisë së tyre.