Kriza që paralajmëroi kryeministri Edi Rama të dielën do të pasohet me një rritje të çmimit të energjisë elektrike për qytetarët. Kjo pohohet edhe nga ekspertët, të cilët e argumentojnë këtë me faktin që Enti Rregullatori i Energjisë nuk e ka lëvizur çmimin prej pesë vitesh.
LORENC GORDANI
EKSPERT LIGJOR PËR ÇËSHTJEN E ENERGJISË
Advertisement“Do të kemi një ristrukturim të çmimeve. Reformat tarifore është një ndër komponentetët e reformës energjetike. Kjo masë shoqërohet me mbrojtjen sociale për shtresat në nevojë. Kjo është rruga që kemi nisur dhe po ecim dalëngadalë. Tani do të kemi një ristrukturim më të mirë dhe nuk do të mungojnë masat mbrojtëse. Nga 2016 ne nuk kemi patur një prekje të tarifave, kjo ka krijuar një hapësirë dhe duhet të azhurnohen. Duhen rishikuar në vazhdimësi tarifat, çdo tre muaj e bën sistemi italian, duke mos akumuluar borxhe dhe duke mos e bërë më të vështirë situatën.”
Por efektet e krizës nuk do të ndihen nga qytetarët në periudhën afatshkurtër. Sipas ekspertëve, konsumatorët familjarë do të detyrohen të paguajnë një çmim më të rritur për faturat e energjisë elektrike në një fazë më të vonë.
“Qytetarët nuk do të preken fare në kohë të shkurtër. Do të vijë gradualisht diçka e tillë. Kjo impakton gjendjen ekonomike të kompanive. Aktualisht kompanitë po e blejnë rreth tre herë më shtrenjtë energjinë. Dy vitet e fundit ka pasur një bilanc negativ për shkak të mungesës së reshjeve. Ky do të jetë një proces gradual. Konsumatorët familjarë do ta ndjejnë në një fazë shumë më të mëtejshmë që do të shikojnë një rritje. Ka mundësi të bëhet një rikonceptim i tarifave, por jo në kohë të shkurtër.”
Por, a do të thotë furtuna energjetike, ndërprerje për konsumatorët shqiptarë?
“Nuk mendoj se duhet të trembemi për kufizime të energjisë elektrike, vendi ynë e ka të siguruar. Konsumatori shqiptar nuk ka konsum të jashtëzakoshëm të energjisë. Nuk pres të kemi ndonjë masë të nevojshme. 70% të energjisë e prodhojmë në vend, jemi të mbrojtur dhe nuk do të shikojmë mungesa.”
Duke sugjeruar që Enti Rregullator i Energjisë të marrë vendime më të shpeshta, ekspertët kërkojnë edhe një mirëmenaxhim të energjisë. Shqipëria, shprehen ata, duhet të përfitojë nga shitjet në bursa për të gjeneruar të ardhura të larta që të përkthehen më pas në politika mbështetëse për shtresat në nevojë kur përballemi me situata të tilla.