Edhe këtë sezon turistik duket se zgjedhjet e shqiptarëve për të kaluar pushime jashtë shtetit, janë shumë të kufizuara.
Europa mbetet kontinenti që ka ende në fuqi kufijtë e mbyllur dhe nuk ka një vendimmarrje se kur mund të hapen. Këtë sezon po ashtu nuk do të shpëtoni nga tamponi kudo që të lëvizni.
Por, ku mund të udhëtohet në këto momente?
Aktualisht, vetëm Mali i Zi dhe Maqedonia janë të vetmet shtete ku mund të kalohen disa ditë pushime, pasi nuk ka masa kufizuese. Destinacioni tjetër në linjë direkte mbetet Dubai si dhe vendet e largëta si Maldivet…-shprehet Firoi Zani agjente turistike.
Në çdo rast Turqia, si edhe një vit më parë, mbetet sërish destinacioni ku shqiptarët kanë alternativë për të pushuar. Por çmimet duket se s’do të jenë shumë ekonomike pasi hotelet nuk po punojnë në kapacitet të plotë.
Turqia mbetet on the top…por çmimet janë pak të larta. Shqipëria mbetet një vend me treg të vogël për Turqinë e për rrjedhojë nuk mund të përfitojë çmime shumë preferenciale.
Interesi i shqiptarëve mbetet i lartë, por mundësitë janë të pakta. Ndaj çdo vendimmarrje duket se do të merret në minutën e fundit, duke parë ecurinë e masave që do të marrin shtetet për këtë sezon turistik.