Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit të SHBA-së Matthew Palmer ka arritur në Kosovë në kuadër të një vizite tre ditore. Këtë e ka bërë të ditur, Ambasada amerikane përmes një njoftimi në Twitter.
Ambasada ndër të tjera ka njoftuar se Palmer është pritur nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.
“Ambasadori Kosnett mirëpriti këtë mëngjes në ambasadë, zëvendësndihmës sekretarin Matthew Palmer për një vizitë tre ditore në Kosovë, ku do të diskutoj me zyrtarë e institucioneve të Kosovës, për sfidat, mundësitë dhe çështjet tjera me të cilat ballafaqohet Kosova”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Palmer së bashku me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet të diskutojnë lidhur me rifillimin e dialogut mes dy vendeve.