Partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar që kryeministri, Zoran Zaev të mbajë përgjegjësinë për bllokimin që i ka bërë Bullgaria nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shkupit në Bashkimin Evropian.
Bullgaria vendosi veto në bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Shkupin zyrtar sa i përket çështjeve të gjuhës dhe të historisë.
Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, përmes një deklarate për media tha të mërkurën se kryeministri Zaev duhet të japë dorëheqje dhe të formohet, atë që kjo partia e quajti “Qeveri për shpëtimin kombëtar”.
VMRO-ja ia ka rikujtuar Zaevit një prononcim që ka pasur për mediat belge në korrik të vitit 2019, ku ai kishte theksuar se nëse Maqedonia e Veriut nuk e merr datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, ai do të japë dorëheqje.
Ndërkaq, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela po ashtu ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Zaev, të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani si dhe të atij të Integrimeve, Nikolla Dimitrov.
Sela ka kërkuar që liderët politikë të takohen, për t’u dakorduar që të formojnë një qeveri më të gjerë, me qëllim të zhbllokimit të procesit integrues të shtetit.
Ky reagim i Selës erdhi pasi kryeministri Zaev tha të martën në mbrëmje, ka theksuar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqjes, edhe pse Bullgaria bllokoi bisedimet me BE-në.
Ndërsa, të mërkurën, Zaev shkroi në profilin e tij në Facebook se pret që dallimet me Bullgarinë të tejkalohen në frymën e mirëkuptimit gjatë zhvillimit të mëtejmë të bisedimeve, duke u dhënë shans dialogut dhe jo konflikteve.
“Mosmarrja e vendimit në takimin në Bruksel është një disfatë për idenë e BE-së, por në të njëjtën kohë u konfirmua në deklaratën e kryetarit, ministrit gjerman për Çështjet Evropiane, Michael Roth, ku tha se ka ende mundësi deri në dhjetor. Ne duhet të vazhdojmë në frymën e dialogut, jo përmes konflikteve, për të arritur zgjidhje. Në situata të tilla është shumë e lehtë për të goditur njëri-tjetrin në gjoks, por qëllimi ynë është të jemi racionalë dhe t’i lëvizim gjërat sipas pritjeve të njerëzve tanë, dhe kjo është të shkosh më tej drejt BE-së”, ka shkruar Zaev.
Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se bllokada bullgare ka karakter afatshkurtër, në funksion të zgjedhjeve në këtë shtet. Në të kundërtën, nëse mbetet për një kohë të gjatë, sipas tij, atëherë do të përkeqësohen marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes.
“Por, nëse kjo bllokadë përmes vetos vazhdon, mendoj se do të përkeqësohen marrëdhëniet mes bullgarëve dhe maqedonasve dhe raportet mes dy vendeve fqinje do të kthehen në një fazë edhe më të keqe, delikate, seç ishin para arritjes së Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes dy vendeve. Bllokada e proceseve integruese do të ketë efekt negativ edhe në skenën e brendshme politike”, thotë Musliu.
Përderisa, Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci thekson se në këtë moment është e rëndësishme që të arrihet konsensus i brendshëm sa i përket qasjes që do të ketë Maqedonia e Veriut ndaj Bullgarisë.
“Gjithsesi nevojitet një takim liderësh ku do të pozicionohen të gjitha partitë politike si mbështetës të linjave të kuqe si dhe një strategji negociuese, por kjo duhet të lihet në dhjetor kur dhe pritet të intensifikohen aktivitet diplomatike të cilat nuk duhet të vihen në rrezik nga deklarata e ndryshme politike”, thotë Troshanovski për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, Simonisa Kacarska nga Instituti për Politika Evropian, thotë për REL se bllokimi i hapjes së bisedimeve me BE-në, vë në rrezik edhe dinamikën e realizimit të reformave, që i janë vënë si detyrë Shkupit, në mënyrë që të mund të integrohet në familjen evropiane.
“Në çdo rast kjo paraqet rrezik për rrugën evropiane, për reformat që janë të lidhura me Bashkimin Evropian sepse gjerë më tani, ne si shtet kemi dëshmuar se nuk jemi të aftë të ndërtojmë në mënyrë vetanake sistem funksional të realizmit të reformave”, thotë Kacarska.
Më 17 nëntor, Bullgaria edhe zyrtarisht tha se nuk do ta miratojë kornizën e negociatave për Maqedoninë e Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë dy shtetet.
Bullgaria dëshiron që Shkupi të pranojë se si identiteti ashtu edhe gjuha e saj kanë rrënjë bullgare. Konkretisht, Sofja dëshiron që gjuha e folur nga maqedonasit të quhet “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Zyrtarët maqedonas kanë thënë se me palën bullgare nuk do të bisedojnë për çështjen e gjuhës dhe të identitetit.
Për miratimin e kornizës negociuese, kërkohet unanimitet nga të gjithë anëtarët e BE-së, ku Bullgaria ka të drejtën e vetos./ REL