Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ankimon në KAS vendimin e KQZ-së për të mos i hequr mandatin kryebashkiakut të Kuçovës.
Opozita pretendon se Kreshnik Hajdari duhet të shkarkohet, pasi ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
Sipas saj edhe pse vepra për të cilën kryebashkiaku Kuçovës është dënuar në greqi, për kalim të paligjshëm të kufirit, nuk është subjekt i dekriminalizimit, atij duhet t’i hiqet mandati pasi e ka fshehur atë.
Në vendimin e tij, komisioneri i zgjedhjeve Celibashi tha se edhe sikur Hajdari ta kishte deklaruar, vepra e kryer nuk e ndalon të ushtrojë një funksion publik.
Paralelisht kryetari i bashkisë Kuçovë është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” kryer në bashkëpunim.
Mbetet për tu parë se cila do të jetë masa e dënimit nga gjykata, çka do të përcaktojë edhe fatin e mandatit të Kreshnik Hajdarit.