Policia Kufitare ka sekuestruar rreth 34 mijë euro në Portin e Durrësit. Sipas njoftimit të policisë, këto para dyshohet se vinin nga aktivitete kriminale.
Policia bën me dije se shoferi i linjës “Bari-Durrës”, iu kishte shpërndarë paratë 4 pasagjerëve në mënyrë që të mos i deklaronte ato.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 34 000 euro të cilat shtetasi J. Z. ua kishte ndarë 4 pasagjerëve në furgonin e tij, me qëllim futjen në vendin tonë, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftim.
Si pasojë, drejtuesi i mjetit J. Z., 38 vjeç, u vu në pranga. Ai akuzohet për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.