Një nga njerëzit më të besuar të presidentit serb dyshohet për lidhje me një figurë të dyshuar të krimit të organizuar. Nikola Petroviç, mik i ngushtë i presidentit Serb Aleksandar Vuçiç, ka bërë biznes me Stanko Subotiç, një figurë e diskutueshme me lidhje të gjata me krimin. Ky i fundit i ka shitur një firmë aviacioni Petroviçit për një çmim qesharak, përmes disa kompanive në Luksemburg.
Petroviç ka themeluar një kompani në vitin 2019, në Luksemburg.
Në 2020, ai bleu kompaninë e transportit ajror “Air Posh”, e cila ishte në pronësi të Subotiç për vetëm 100 000 euro. Ky mund të konsiderohet lehtësisht një çmim qesharak, duke ditur se vetëm një avion Cessna, të cilët i përdor linja ajrore, e ka vlerën midis 700 000 dhe 1,3 milion euro.
Petroviç gjithashtu rezulton përfitues i një sasie të madhe aksionesh në një kompani të energjisë diellore dhe një firmë të importit farmaceutik – kjo e fundit për vetëm 0,50 dollarë.
Këto lëvizje ngrenë pipëpyetje për lidhje indirekte edhe të vetë presidentit Vuçiç me Stanko Subotiç.
Në fakt, hija e Stanko Subotiç e ka ndjekur prej kohësh presidentin serb. Pretendimet për lidhje midis biznesmenit të lidhur me krimin e organizuar dhe politikanit më të lartë të vendit janë ngritur shpesh, por asnjëherë nuk janë provuar.
Subotiç, i dënuar për kontrabandë cigaresh në 2011 dhe i dënuar me gjashtë vjet burg, ka këmbëngulur se Vuçiçin e ka mbështetur vetëm në kutitë e votimit dhe asnjëherë financiarisht.
Ndërsa politikanët e opozitës dhe media pretendojnë se ka lidhje më të thella midis politikanit dhe biznesmenit, gjithmonë pa prova, të dy mohojnë me vendosmëri çdo lidhje. Lidhje të tilla do të ishin problematike për presidentin për shkak të përfshirjes së Subotiç në aktivitete kriminale, dhe provave të lidhjeve midis Subotiç dhe bosit rajonal të drogës, Darko Sariç.
Por, përkundër lëvizjeve të Vuçiç për t’u distancuar nga Subotiç, OCCRP dhe qendra serbe KRIK kanë zbuluar se Nikola Petroviç – një njeri që dihet se është shumë afër presidentit – ka në fakti ka bërë biznes me Subotiç.
OCCRP KRIK disponon provat e para të dokumentuara që lidhin rrjetin e Subotiç me rrethin e ngushtë të presidentit. Nga kanë dalë këto prova?
Projekti Openlux
Në vitin 2019, pas presionit të vazhdueshëm, Luksemburgu krijoi një bazë të të dhënave publike të përfituesve fundorë të kompanive të regjistruara brenda kufijve të tij.
Por regjistri i ri ka një kufizim të madh: Mund të kërkohet vetëm me emrin e kompanisë ose numrin e regjistrimit. Nuk lejon kërkime duke përdorur emrat e njerëzve që zotërojnë kompanitë, çka u mundëson atyre të fshihen.
Për ta kapërcyer këtë, gazeta franceze “Le Monde” arriti të grumbullojë 3.3 milion rekorde nga platforma online e regjistrit, pastaj bashkëpunoi me ekipin e të dhënave të OCCRP për t’i bërë ato të kërkueshme.
Kjo i lejoi gazetarët nga e gjithë bota të kërkoninë për herë të parë me emër, duke mbledhur të dhëna që u mundësuan atyre të prodhojnë artikuj me interes për lexuesit.
Në rastin konkret, të dhënat e Luksemburgut të ndara nga Le Monde zbulojnë një labirinth transaksionesh që përndryshe do të kishte mbetur i fshehur.