Vera mbaroi e bashkë me të përfunduan edhe pushimet për politikanët.
Ky sesion parlamentar pritet të sjellë zhvillime të reja, e kryesisht në frontin opozitar.
Kreu i PD Sali Berisha dhe kreu i PL Ilir Meta kanë deklaruar se vjeshta do të jetë “pranvera e protestave”.
5 ditë para nisjes së sesionit parlamentar, Berisha ka nisur lëvizjet e brendshme.
Në orën 12:00 ai ka thirrur mbledhjen e Kryesisë, ku në fokus të diskutimit do të jetë aksioni i PD dhe zgjedhjet lokale që do mbahen pas disa muajsh.
Ndërkohë kur pritet që për pak muaj PD-ja të nisë primaret për zgjedhjet lokale, sot do të caktohen edhe grupet e punës që do të shpërndahen nëpër zona për të organizuar strukturat e Partisë Demokratike. Gjithashtu, një tjetër vendim që pritet të merret sot në mbledhjen e kryesisë së PD-së është edhe miratim i departamenteve pranë PDSHsë sipas sektorëve përkatës.
Pika e fundit e rendit të ditës parashikohet që të jetë miratimi i sekretarëve politikë për disa nga degët e partisë demokratike.
Por ndërkohë, në varësi të zhvillimeve në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale do të përcaktohet edhe koha për zhvillimin e primareve në Partinë Demokratike për kandidatët për kryetar Bashkie.
Pritet të shihet se si do ecë aksioni opozitar me bashkimin e Berishës dhe Metës.