
Nëntë viktima dhe 467 raste të reja me koronavirus u raportuan të hënën në Kosovë.
Sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, dy raste të vdekjes u regjistruan në Pejë, dy në Prishtinë dhe nga një rast në Deçan, Gjakovë, Kaçanik, Prizren dhe Rahovec.
Rastet e reja pozitive, ndërkaq, rezultuan pas testimit të 2,914 mostrave.
Sipas IKSHPK-së, shifra paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit, “me tendencë të rritjes ditëve në vijim”.
Po sipas raportit, 214 pacientë u konfirmuan si të shëruar në 24-orëshin paraprak.
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 69,697, i viktimave në 1,608 dhe i të shëruarve në 60,063.
Raste aktive me koronavirus aktualisht janë 8,026.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka nisur ende vaksinimin kundër koronavirusit.