“Alibeaj mendon se mund t’i vendosë kushte Partisë Demokratike tani që e ka vendosur Rama si sekser politik!”- kështu ka deklaruar deputeti demokrat Luçiano Boçi.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Boçi shkruan se Alibeaj po luan teatër teksa thërret grupin e “Rithemelimit’ për negociatat me kusht.
‘Rithemelimi’ e konsideron Alibeajn si të shkarkuar ndërkohë që ky i fundi po negocion me opozitën për zgjedhjen e kreut të ri të vendit.
“Alibeajt, tani që Rama e ka zyrtarizuar si sekser politik, i ngjan se mund t’i vendosë kushte dhe vetë Partisë Demokratike.
Deklaron teatralisht se do të thërrasë dhe grupin e rithemelimit për negociatat me kusht!?
Një i shkarkuar nga demokratët nuk mund të vendosë kushte.
Këtë thirrje nuk e ka seriozisht dhe sinqerisht për zgjedhjen e Presidentit.
Pasi hodhi në erë procesin kushtetues për presidentin, duke u ulur në prehrin e Ramës si i preferuari i tij, tani po kërkon të kënaqë Ramën dhe të sanksionojë përçarjen e Grupit Parlamentar në dy grupime, njërin prej të cilëve e zotëron ai me hipotekë.
Grupi Parlamentar i PD është një, jo siç do ta shohë z. Alibeaj., të bërë copash.
Thirrjen e tij e vendos Kryesia e grupit, jo një deputet.
Unë dhe Z. Salianji në cilësinë e nën/kryetarit e kemi kërkuar me këmbëngulje mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit, ku të sanksionohej rikthimi i të shkarkuarve, por z. Alibeaj e ka refuzuar, mgjs i ka munguar dhe tagri për ta bërë.
Sot i duhet diversioni dhe përsërit refrenin e mospranimit të Z. Berisha.
Po kërkon kështu njëherazi të legalizojë veten, bashkëpunimin e pistë me Ramën dhe të vulosë përçarjen për hir të axhendave të njohura.
Z. Alibeaj me veprimet e tij të disata ka dëmtuar interesin e demokratëve dhe po shpëton fytyrën e Ramës.
Partia Demokratike është e vendosur për të vazhduar negociatat në nivel politik jashtë skemave të paracaktuara në zyrat e Ramës, për t’i dhënë shqiptarëve një President të denjë.”– shkruan Boçi.