Gjermania garanton mbështetje për Maqedonine e Veriut dhe Shqipërinë për integrimin në BE. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas nuk është për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e anëtarësimit në BE.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, Maas tha se presidenca portugeze të hap sa më shpejt konferencat e anëtarësimit, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë.
“Ky është një diskutim që e kemi bërë edhe më parë, por anasjelltas. Në të kaluarën këto vende nuk janë ndarë dhe ka qenë në rregull. Ne mbështesim presidencën portugeze që të gjejë sa më shpejt zgjidhje për çështjet dypalëshe, në mënyrë që të hapen sa më shpejt konferencat e anëtarësimit, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë. Nuk mendojmë t’i ndajmë nga njëra-tjetra”, tha Maas.
Gjatë ditës së sotme mediat e huaja në Bruksel bënë të ditur se mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të mbahet në muajin qershor, që shënon dhe hapin më të rëndësishëm për integrimin e vendit në BE.