Ndërsa opozita vazhdon betejën në KQZ kundër procesit të 25 prillit, mazhoranca ka ftuar PD dhe LSI që në shtator të nisin punën për reformën zgjedhore. Nga foltorja e parlamentit numri 2 i socialistëve Taulant Balla ka deklaruar se me mbledhjen e parlamentit të ri duhet të ngrihet komisioni i posaçëm për të përmirësuar ligjin elektoral.
TAULANT BALLA
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS
Advertisement
“Është në dinjitetin politik të secilëve garues që jo vetëm të njohin rezultatin, por në shtator të punojmë së bashku për vijimin e Reformës Zgjedhore të lënë në mes. Koha kur në Shqipëri votat e shqiptarëve numëroheshin nga numërues politikë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.”
Në marrëveshjen e 5 qershorit parashikohej që këshilli politik të hartonte një kod të ri zgjedhor ku të parashikohej depolitizimi i plotë i komisioneve zgjedhore në mënyrë që në 2025 partitë të mos kishin më rol në administrimin e procesit.
Ky kod u miratua në këshillin politik, por nuk kaloi asnjëherë në parlament. Por procesi i 25 prillit duket se ka krijuar një situatë të re; ajo që dihet është se në shtator PD është e interesuar për një reformë të re zgjedhore, për rishikimin e modelit të koalicioneve pas ndryshimeve kushtetuese dhe për një reformë të re territoriale.