Rritet ditët e fundit numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që hyjnë nga Greqia në drejtim të vendit tonë.
Burime zyrtare thanë se gjatë 24 orëve të fundit në këtë pikë të kalimit kufitar kanë hyrë më shumë se 2600 shtetas, ndërkohë që kanë dalë drejt Greqisë 1696 shtetas. Për autoritetet tona kufitare ky numër është brenda pritshmërisë së lëvizjeve por sipas tyre në ditët në vijim pritet që të ketë fluks në rritje.
Për të përballuar këtë fluks nga ana e policisë sonë kufitare janë marrë të gjitha masat, së pari për të shtuar personelin e shërbimit dhe më tej akoma për të rritur numrin e sporteleve. Masa këto që shërbejnë për të eleminuar radhët e gjata që mund të krijohen nga fluksi i lëvizjeve në këtë pikë të kalimit kufitar.
Nga ana tjetër mësohet se shefi i stacionit të pikës sonë kufitare ka pasur disa takime me homologët grekë të cilëve u është kërkuar shtimi i sporteleve në të dy anët e lëvizjeve. Në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës lëvizjet sipas burimeve zyrtare kanë qënë normale gjatë këtyre ditëve. Gjatë 24 orëve të fundit përmes kësaj pike të kalimit kufitar kanë hyrë e kanë dalë më shumë se 3600 shtetas.
Edhe në këtë pikë kalimi kufitar, ka masa të shtuara nga ana e autoriteteve me qëllim përballimin e lëvizjeve në të dy anët e kufirit.