Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi, deklaroi te premten se pandemia në vendin fqinj ka dalë jashtë kontrollit. Çdo 2 minuta në Mal të Zi infektohet një person, ndërsa çdo 150 minuta një person humb jetën.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galiq, tha në një konferencë shtypi se situata epidemiologjike në Mal të Zi është shumë serioze dhe komplekse. “Ne nuk e kontrollojmë dot më epideminë, sepse numri i të prekurve me virus dhe atyre që humbasin jetën është vazhdimisht në rritje”.
Ai tha se çdo 2 minuta në Mal të Zi infektohet një person, ndërsa çdo 150 minuta një person humb jetën.
“Numri i pacientëve të prekur me koronavirus gjatë tërë ditëve të javës së shkuar është mbi 500, ndërsa ai i vdekjeve 64“.
Sipas Galiq rreth 13 përqind e popullsisë së Malit të Zi janë të prekur me koronavirus e kësaj i shtohet edhe transmetimi lokal, që po ashtu shënon rritje. “Rastet e regjistruara rishtas të infeksionit në lidhje me numrin e testuar është 28.7 përqind. Në mënyrë që të jemi në gjendje të themi se ne e kontrollojmë epideminë, ky raport duhet të jetë pesë përqind. Kjo flet për masën, në të cilën ne nuk e kontrollojmë epideminë”, tha Galiq.
Megjithëse Mali i Zi kryeson pothuajse në të gjithë parametrat negativë epidemiologjikë, numri i personave të vaksinuar është 3.062,ose 0.5 përqind e popullsisë. Mesatarisht në ditë vaksinohen 170 persona. Epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik Milko Joksimoviç sheh ritmin e ngadaltë të vaksinimit në vend si arsye të rritjes së numrit të infeksioneve dhe të të shtruarve në spital. Kjo ka të bëjë edhe me numrin e vogël të vaksinave që janë në dispozicion. “Ritmi u kushtëzua fillimisht nga sigurimi i vaksinave dhe pastaj nga procedurat burokratike të mbërritjes në vend”, ka thënë epidemiologu Joksimoviq. Në Mal të Zi fillimisht vaksina i është ofruar personelit mjekësor, ndërsa në ditët e ardhshme do të vazhdojë vaksinimi i personave mbi 80 vjeç, që cilësohen si grupet më të rrezikuara nga COVID-19.
Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 82.029 raste të infeksionit dhe 1.113 persona kanë humbur jetën. Të ndodhur në një situatë të tillë epidemiologjike Mali i Zi ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s për të përballuar gjendjen e krijuar nga Covid-19. Shefi i Diplomacisë malazeze Gjorgje Radulloviq i kërkoi Brukselit që të dërgojnë mjekë e infermierë për t’u ardhur në ndihmë punonjësve mjekësorë të cilët ka më se 1 vit që përballen me të infektuarit me Covid-19. Delegacioni i Bashkimi Evropian (BE) në Podgoricë ka njoftuar se i ka akorduar Malit të Zi një ndihmë prej 200 mijë eurosh për të siguruar pajisje mjekësore në luftë kundër koronavirusit. Bashkimi Evropian nga fillimi i pandemisë i ka akorduar Malit të Zi një paketë ndihmash prej 53 milionë eurosh mjete të pa kthyeshme, dhe 60 milionë euro si ndihmë mikro financiare.