Të hënën, Ministria e Turizmit do të rihapë aplikimet për të gjithë operatorët që nuk arritën ta kryenin këtë proces për t’u pajisur me leje plazhi. Nga Kavaja, ku zhvilloi një takim me bizneset e fushës, ministri Blendi Klosi tha se aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri në fund të javës.
“Ajo që është e rëndësishme është të theksoj se parcelat që janë pa aplikime të nxiten qytetarët të aplikojnë. Besoj, ditën e hënë do të përfitojnë nga rihapja për një kohë 5 ditore dhe për të plotësuar gjithë sipërfaqen e menaxhuar në Bashkinë e Kavajës.”
Sipas të dhënave në bashkinë Kavajë, ka një problematike, pasi ka më shumë aplikime se sa ka parcela në dispozicion.
“Me agjencinë tonë të bregdetit do të ndjekim në vazhdimësi gjithë problematikat që kanë të bëjnë me sezonin e plazhit në bashkinë e Kavajës. Në territorin e bashkisë së Kavajës kemi 258 parcela, nga të cilat 133 janë parcela të menaxhuara dhe 55 janë publike. Nga këto parcela 133 të menaxhuara kemi 198 aplikime. Pra, më tepër aplikime se parcela.”
Edhe një ditë më parë, ministri pranoi vonesat në procesin e pajisjes me leje për shfrytëzimin e e vijës bregdetare, por kjo vonesë, sipas tij, erdhi për shkak të procesit zgjedhorë. Tashmë e gjithë situata e paqartësisë në plazhe pritet të zgjidhet gjatë javës së ardhshme.