Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm parashikon disa risi për qytetarët, ku një prej tyre është edhe modeli i ri i policës së sigurimit. E njohur ndryshe TPL e automjeteve. Kjo që shikoni në foto do të jetë forma e re e policës që do të jetë e vlefshme nga 1 korriku…risia nuk vjen vetëm në formë, por edhe në afate për qytetarët.
Konkretisht për ato dëme me vlerë deri në 100 mijë lekë, ligji i ri përcakton afatin 14 ditor për trajtimin e dëmeve dhe jo 30 ditë siç është aktualisht.
Një tjetër risi është edhe fakti se në rast se shkaktohet një aksident nga një mjet i pasiguruar, qytetari drejtohet direkt tek kompania e tij e sigurimit dhe jo më tek Fondi i Kompensimit, një procedurë kjo e cila është shoqëruar me shumë zvarritje në ndarjen e fondeve.
Në faqen e pasme të TPL evidentohet që kompania ka për detyrë t’i japë drejtuesit të mjetit edhe formalin e aksidenteve që do të plotësohet në rastet me dëm deri në 30 mijë lekë.
Ndryshime përfshijnë edhe policën e sigurimit në transport edhe atë kufitare, pra kartonin jeshil.
Të tre policat e sigurimit janë bërë publike në faqen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Pas konsultimeve ato do të miratohet nga bordi dhe do të jenë për zbatim në korrik.
Gjithashtu, në pjesë e pasme të policës së re të sigurimit TPL, janë reflektuar ndryshimet ligjore në lidhje me limitet e përgjegjësisë, ku parashikohet rritje e tyre në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, në 1 korrik të këtij viti, shoqëruar me rritje graduale nga 1 janari 2022 deri në 31.12.2026.