Dosja “Ndrangheta” ka përplasur edhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri. Prokuroria e Posaçme ende nuk ka nisur hetimet. Kreu i këtij institucioni i është shmangur pyetjeve të gazetarëve duke mos bere asnjë koment për përgjimet.
Nga ana tjetër, kryeprokurori i përgjithshëm, Olsian Çela ia la përgjegjësinë SPAK-ut, si organi kompetent që duhet të nisë hetimet.
“Ligji i ri u mundëson të nisin kryesisht hetime për çdo fakt penal për të cilin ata vihen në dijeni. Kjo është garancia më e madhe e sistemit të drejtësisë, pavarësia e prokurorëve. Askush nuk mund t’i pengojë prokurorët të nisin hetim”.
Ndërkohë sot u votuan edhe 2 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në votim morën pjesë rreth 270 prokurorë. Në fund u shpallën fitues Eloida Goxhi prokurore në Tiranë dhe Moisi Duda prokuror apeli në Durrës.