Një protestë që u mbajt në Shkup me pjesëmarrjen e disa qindra shqiptarëve, u përshkallëzua në dhunë midis grupeve të protestuesve dhe policisë.
Protestuesit synonin të shkonin para qeverisë për të shprehur indinjatën pas dënimeve me burgim të përjetshëm të tre të akuzuarve lidhur me vrasjen e pesëfishtë në vitin 2012 në rrethinat e Shkupit.
Pasi policia ua mbylli rrugën, ata hodhën gurë dhe objekte të forta kundër forcave speciale policore. Autoritetet thanë se tre policë u lënduan.
Protestuesit u nisën nga lagja Çair e Shkupit me qëllim që të ndaleshin para selisë së qeverisë rreth tre kilometra më larg në qendër të kryeqytetit, por policia i bllokoi ata në gjysmë të rrugës në lagjen Bit Pazar. Disa qindra protestues dolën në rrugë të thirrur nga familjarë të të dënuarve me burgim të përjetshëm lidhur me rastin e koduar gjyqësor “Monstra” që kishte të bëjë me vrasjen e pesëfishtë para rreth nëntë vjetësh në rrethinat e Shkupit.
Edhe protesuesit edhe policia speciale, që ishte në numër të madh dhe e shoqëruar nga autoblinda, për një kohë qëndruan të qetë. Organizatorët disa herë u bënë thirrje zyrtarëve policorë që të hapnin rrugën për të kaluar në drejtim të qeverisë, por policia nuk lëshoi pé.
“Ju lus në mënyrë paqësore të na e lironi rrugën sepse protesta është e qetë dhe paqësore! Nuk po kërkojmë mëshirë, lirojeni rrugën t’i drejtohemi qeverisë ashtu siç kemi planifikuar! Sot ne, nesër juve mund t’ju ndodhë kjo.
Me këtë sistem dhe këto institucione gjithkush mund të paditet dhe me një “dëshmitar të rrezikuar” mund të përfundojë në burg të përjetshëm”, tha Bedri Hajdari, familjar i disa prej të dënuarve dhe organizator i protestës.
Më pas grupe të rinjsh, që dukej se nuk po i respektonin thirrjet e organizatorëve për të qëndruar të qetë, filluan të hedhin gurë, objekte të forta, ngjyrë dhe sende të tjera kundër policisë.
Forcat policore të shoqëruara nga autoblindat prapa tyre më pas filluan të shtyjnë turmën, duke përdorur herë pas here edhe shashka. Pas përleshjes që zgjati rreth një ore e gjysmë, protestuesit u shpërndanë. Protesta u mbështet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në opozitë.
Autoritetet policore thanë më pas se tre policë ishin lënduar si dhe një kameraman i agjencisë shtetërore të lajmeve të ishte sulmuar.
Rasti ‘Monstra’, i cilësuar si terrorizëm qe rikthyer nga Gjykata e Lartë për rigjykim në vitin 2017 pasi të akzuarit qenë dënuar me burgim të përjetshëm. Gjykatësi dhe prokurori u ndërruan, ndërsa dënimet me burgim të përjetshëm përsëri iu dhanë tre të akzuarve, njërit 15 vjet, një tjetri 9 vjet heqje lirie, teksa një i akuzuar u lirua në mungesë provash kundër tij.
Megjithatë, prokuroria nuk ofroi dëshmi të reja gjatë procesit të rigjykimit; Armët me të cilat ishin ekzekutuar katër djem të moshës nga 18 deri 21 vjeç dhe një peshkatar 45 vjeç – nuk u gjetën dhe motivi i vrasjes nuk u bë i ditur.
Nga ana tjetër, familjarët e të dënuarve dhe partitë shqiptare të opozitës vlerësojnë se njerëz të gabuar u dërguan në burg dhe se porositësit dhe organizatorët e vërtetë të vrasjes po shëtisin të lirë. Kërkesat e tyre për një gjykim me ekspertë të huaj si prokurorë u shpërfillën nga organet e gjyqësorit.