Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleanca po e vlerëson me kujdes ofertën e Shqipërisë për të ngritur një bazë ushtarake detare.
Në një intervistë për mediat malazeze Stoltenberg pohoi se NATO është e rëndësishme për rajonin sidomos në këtë situatë të paqëndrueshme në botë.
JENS STOLTENBERG
SEKRETAR I PERGJITHSHEM I NATO-s
Mirëpresim ofertat e aleatëve për vendosjen e objekteve të NATO-s. Ekspertët tanë duhet të shikojnë të gjitha ofertat e tilla dhe më pas të japin këshilla në varësi të kushteve ushtarake. Koncepti i ri Strategjik i NATO-s, i cili u miratua në Samitin e Madridit, konfirmoi edhe një herë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për aleancën tonë. NATO do të vazhdojë të promovojë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon.
Advertisement
Stoltenberg foli edhe për situatën në veri të Kosovës teksa theksoi se KFOR është gati të ndërhyjë nëse tensionet dalin jashtë kontrolli, por gjithashtu bëri thirrje për maturi dhe vetëpërmbajtje nga të dyja palët.
JENS STOLTENBERG
SEKRETAR I PERGJITHSHEM I NATO-s
Së fundmi kam folur me lidershipin politik në Prishtinë dhe Beograd për tensionet në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qetë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, misioni i KFOR-it po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti.
Advertisement
Ngritja e një baze detare të NATO-s në Shqipëri do ta bënte atë të dytën në vendin ton pas bazës ajrore në Kuçovë.