Kreu i Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj ka folur në studion e lajmeve në “Vizion Plus” për mundësitë e përfitimit nga nafta pa taksa.
Ai e ka konsideruar një lajm të mirë për fermerët këtë vendim të qeverisë shqiptare, pasi gjatë gjithë këtyre viteve kanë qenë të penalizuar për çmimin e karburantit, taksat shtesë, parcelizimin e tokave etj.
“Është një lajm i mire për fermerët. Kanë vite që e kërkojnë këtë masë! Fermerët kanë qenë të penalizuar për çmimin e karburanteve, me taksat shtesë, çmimin real të shitjes së saj në tregun vendas, parcelizimin e tokave, për parkun e vjetër të mjeteve të mekanikës bujqësore. Këto mjete nuk krahasohen me rajonin. Mjetet bujqësore nuk mund të dalin në pikat e karburantit sepse nuk kanë leje. Këto masa e kanë penalizuar deri më sot fermerin.”
Sa i përket dixhitalizimit të skemës, Rrapaj theksoi se ishte një kërkesë e fermerëve, me qëllim shmangien e pasojave negative që kanë hasur në të shkuarën.
“Ka qenë një kërkesë e jona që nafta t’i jepet drejtpërdrejt fermerit. Dixhitalizimi i skemës, karta elektronike e fermerit ka qenë një kërkesë e jona e vazhdueshme për të eliminuar ato procese dhe pasoja negative që kanë pasur skemat e tjera. Do të punojmë fort që këto vështirësi t’i kapërcejmë.
I pyetur nëse me këto kushte do të përfitojnë vetëm fermerët e konsoliduar dhe jo individit që kanë një pronë që e punon, Rrapaj tha: “Skema është gjithpërfshirëse, nuk penalizohet askush, janë vendosur disa kritere. Parcelat rreth 1 dylym, nën 4 dylym nuk munden të përdorin gjerësisht mekanikën bujqësore; këto parcela kryesisht janë kopshte. Ai fermer që nuk ka produkt në këtë treg, nuk është i domosdoshëm që të përfshihet në këtë skemë.”