Artemis Vasili, shqiptarja 19-vjeçare e zhdukur në Greqi që prej tetorit të vitit të kaluar vazhdon të mos shfaqë asnjë gjurmë jete. Pikërisht lidhur me këtë ngjarje, ditën e sotme për “Vizioni i Pasdites” u shpreh ekskluzivisht avokati i familjes Vasili. Z. Stavros Georgiu.
Georgiu u ndal te dyshimet për vrasjen e vajzës, duke u bazuar te mungesa e të dhënave hetimore dhe zhdukjes së menjëhershme të saj. Sipas tij, Artemis nuk mund të jetë rrëmbyer për prostitucion, pasi fytyra dhe emri i saj qarkullon prej muajsh në mediat më në zë të vendit.
“.. Në fillim familjarët, dhe më pas ne kur nisëm këtë çështje, kemi kujtuar se e kanë rrëmbyer me qëllime që ta shfrytëzonin vajzën për prostitucion. Kanalet televizive e kanë dhënë kaq shumë herë fotografinë e saj, fytyra e saj u bë shumë e njohur.. pra ishte e pamundur që vajza të bëhej objekt shfrytëzimi sepse do e njihnin… kemi kërkuar nëpër puse, nëpër hendeqe etj…Kini parasysh që nuk po kërkonim më për një vajzë të gjallë… nuk mund të themi që vajza patjetër është e vdekur, por nëse do të ishte e gjallë, do të kishim gjetur të paktën një shenjë.” – shprehu avokati.
Artemis Vasili është parë për herë të fundit në një stacion autobusi në Greqi, ku sipas pamjeve të siguruara nga disa kamera të zonës, ajo zhduket nga fokusi brenda pak minutave. Këto pamje filmike, sëbashku me dëshminë e një fqinje shqiptare, janë të vetmet të dhëna që hetuesi dhe grupi i punës kanë. Fqinja ka dëshmuar se e ka parë vajzën duke zbritur thuajse pa ndjenja nga një fuoristradë e zezë në të cilën ajo ka hipur sërish me përdhunë.
Sipas avokatit, mungesa e të dhënave dhe materialeve është si pasojë e mungesës së vlerësimit të çështjes nga ana e institucioneve përgjegjëse. Georgiu shpreh se anashkalimi i ngjarjes me ditë ka bërë që shumë pamje filmike të fshihen dhe për këtë shkak edhe gjurmë e vajzës kanë humbur më lehtësisht.
“E vërteta është që prindërit e vajzës, që në fillim, kërkonin me këmbëngulje të mblidhej materiali filmik nga kamerat dhe ky material që keni parë në fakt është gjetur nga vëte prindërit dhe jo policia. Zhdukja e vajzës, jo se nuk u mor ëseriozisht, por mund të them që u nënvlerësua nga policia. Policia e Koropiut, që nuk është shumë e fuqishme, nuk mund të merrte përsipër peshën e madhe që kishte kjo çështje. Kur e morëm ne këtë çështje, ishte tepër vonë…” – tha për Vizion Plus avokati Georgiu.
Nuk mungojnë dyshimet për kalimin e kufirit grek, por sipas familjarëve, Artemis e ka lënë pasaportën në shtëpi, një detaj që e hedh poshtë këtë aludim. Data 16 tetor shënon takimin e fundit të 19-vjeçares Artemis Vasili me familjarët, miqtë e saj dhe çështja e shqiptares vazhdon të mbetet enigmë, pasi nuk ka asnjë të dhënë që konfirmon nëse ajo është akoma në jetë apo jo.