Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi mirëpriti në zyrën e saj përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve, të cilët në kuadër të aktiviteteve të Tiranës si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, kanë fituar të drejtën e implementimit të projektit “Rinia në sytë e mi”.
Ministrja Kushi u ofroi mbështetje të rinjve për zbatimin e këtij projekti, i cili ka në fokus përfshirjen e rinisë në aktivitete kulturore, zhvillimin e kapaciteteve dhe forcimin e pjesëmarrjes aktive të tyre në vendimmarrje.
Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë është një strukturë që punon në mënyrë të drejtpërdrejtë me të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe nëpërmjet këtij projekti synojnë të forcojnë pjesëmarrjen aktive të të rinjve në shkollat e mesme për të mbrojtur të drejtat e tyre, gjithëpërfshirjen dhe përgatitjen e tyre për të qenë sa më aktivë në komunitetin e tyre, familjarizimin e tyre me vendimmarrjen dhe krijimin e mundësive të reja. Përfituesit direkt të këtij projekti janë të rinj të shkollave të mesme dhe të universiteteve në mbarë vendin.
Ministria e Arsimit dhe Sportit si mbështetëse kryesore e Parlamentit të Nxënësve do të lehtësojë aksesin në shkolla dhe universitete, përmes sigurimit të ambienteve për zhvillimin e shumë aktiviteteve.
Në kuadër të projektit do të organizohen takime me të rinj nga bashki të ndryshme të vendit, panairi “Profesionistët e rinj” ku specialistë të fushave të ndryshme do të ndajnë eksperiencat e tyre në fushat ku ata operojnë dhe do të motivojnë të rinjtë drejt aftësive të reja, koncert artistik, ekspozitë me punime të të rinjve të talentuar, vizita në shtëpinë e të moshuarve, etj.
Gjithashtu, këta të rinj do të përgatisin raporte me nevojat, problematikat dhe rekomandime për përmirësimin e këtyre problematikave.