Ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se gjatë vitit 2021 ekonomia u rrit me 8.6 për qind.
Në një konferencë për mediat, duke bërë bilancin e ekonomisë për vitin që lame, Ibrahimaj u shpreh se parashikohet që rritja ekonomike do të vazhdojë edhe këtë vit, por jo në nivelet e 2021.
“Rritja ekonomike për 2021 parashikohet të jetë 8.6%. Niveli i lartë i rritjes ekonomike ka ardhur si pasojë e treguesve të ndryshëm makroekonomikë, që shoqërojnë rritjen ekonomike. Si fillim, dua të flas për të ardhurat, që kanë pasur një vijueshmëri dhe ecuri shumë të kënaqshme. Për vitin 2021 mendojmë se niveli i të ardhurave do të jetë rreth 506 miliardë lekë, duke e çuar treguesin e ecurisë ndaj PBB në 28.6%. Synojmë që së shpejti të arrijmë në një nivel 30%. Në krahasim me vitin 2020, të ardhurat e këtij viti do të mbyllen me një rritje prej 21%. Nëse e krahasojmë me vitin 2019, të ardhurat janë rritur me 11%. Ky rezultat besojmë se ka ardhur i ndikuar nga ecuria e mirë e bizneseve, por i ndikuar edhe nga fiskalizimi, që është një proces që tashmë ka filluar, është në fazat e tij përfundimtare dhe ka filluar të japë efekte, sidomos në bizneset e mëdha.”