Ministria e Mbrojtjes dha informacion zyrtar për situatën në të gjithë vendin për shkak të reshjeve të dëborës. Sa i takon aksit Milot-Lezhë, ministria tha se qarkullimi u bë i pamundur për shkak të përplasjes së dy kamionëve.
“Është organizuar puna me forca dhe mjete si dhe batanije dhe karburant për automjetet e bllokuara në këtë aks rrugor. Pas një pune të gjatë aksi rrugor është hapur me vështirësi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme dhe ka filluar qarkullimi i mjeteve”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Bllokim pati ditën e shtunë edhe në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, ndërsa aktualisht aksi është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë, shkruan “Vizion Plus”.
Nga ana tjetër, Forcat e Armatosura janë të angazhuara në zonën e Nënshkodrës për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, të prekura nga përmbytjet.
Në ditët në vijim, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, do të ketë mot të kthjellët, por temperaturat do të jenë të ulëta e do të ketë ngrica në rrugë.