
4 vatra të reja zjarri janë shfaqur sërish në pyjet e Bodesë në njësinë administrative Lozhan të bashkisë Maliq.
Burime pranë shërbimit zjarrfikës të kësaj bashkie bëjnë me dije se zjarret e shfaqura nuk kanë lidhje me ato të para pak ditëve, ku u dogjën plotësisht 160 hektarë pyje.
Edhe në fshatin Konisbaltë të bashkisë Dimal është riaktivizuar një vatër zjarri.
Flakët janë vënë nga persona ende të paidentifikuar dhe vatra e parë e zjarrit ndodhet në zonën e Allaxhiasit, pak metra larg nga zona e zjarrit ku ishte vendosur dy ditë më parë.
Zjarri po përparon drejt pyllit me pisha, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta. Për shkak të terrenit të vështirë,në ndihmë të zjarrfikësve të Dimalit janë nisur 3 mjete nga Berati dhe forca të ushtrisë.
Terreni i vështirë e bën të pamundur futjen e mjeteve drejt zonës problematike dhe zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë janë duke shuar flakët me pompa uji shpine dhe mjete rrethanore.
Gjatë ditës së sotme në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 19 vatra zjarri. Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile janë shuar 8 vatra, ndërsa 11 mbeten aktive.
Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 146 forca operacionale dhe 5 mjete zjarrfikëse, mbështetur nga 130 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar./vizionplus.tv