
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi priti në një vizitë zyrtare në Shqipëri homologen e tij britanike, Priti Patel.
Ata firmosën Marrëveshjen e Ripranimit, propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Europian. Në kuadër të detyrimeve për përafrimin e legjislacionit për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria” nënshkrimi i marrëveshjes vjen në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm, si një prej nën-çështjeve thelbësore ku kërkohet progres i vazhdueshëm.
Marrëveshja është hartuar duke u bazuar në modelin komunitar, si edhe duke respektuar parimet e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale. Qëllimi, janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre.
Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe shprehu gatishmërinë për të asistuar Policinë Shqiptare në ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fusha që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin, që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen cilësore dhe efikasitetit të punës së saj.