Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë si të pandehur ish-kryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Zaimira Rami.
Ish-kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës akuzohet nga SPAK për veprën penale “shpërdorim detyre”. GJKKO ka pranuar kërkesën duke e dërguar dosjen e saj për gjykim të shkurtuar.
“Nga hetimi i kësaj çështjeje ka rezultuar se ish – Kryetarja e Bashkisë gjatë ushtrimit të funksioneve të saj, në lidhje me procedurat e ndjekura për lejen e ndërtimit dhe vazhdimin i punimeve për realizimin e projektit “Rikonstruksion i rrugës Kryqëzim me rrugën nacionale (Postbllok) – Sheshi i Çerçizit”, si dhe lejen e ndërtimit dhe vazhdimin e punimeve për realizimin e projektit “Rikualifikimi i hapësirave publike dhe rrugës hyrëse pranë Memorialit të Rilindasve në Gjirokastër”, ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, duke prishur dy prona të ligjshme të shtetasve Dritan Sako dhe Teodorti Xhai dhe duke i shkaktuar atyre një dëm pasuror në vlerë 5 600 520 (pesëmilion e gjashtëqindmijë e pesëqind e njëzetë) lekë,” thuhet në njoftimin e SPAK të publikuar pak muaj më parë.
Ngjarja për të cilën akuzohet Zamira Rami SPAK e akuzon ish-kryetaren e Bashkisë Gjirokastër se në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime që kanë sjellë prishjen e dy pronave private gjatë realizimit të dy projekteve, një prej të cilave në kuadër të Rilindjes Urbane.
Projekti i Rikualifikimit të hapësirave publike pranë Memorialit të Rilindasve në Gjirokastër është financuar nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve në mars 2016 në kuadër të Rilindjes Urbane. Në vitin 2019, pronarët e banesave të prishura për shkak të zbatimit të dy projekteve denoncuan Ramin në Prokurorinë e Gjirokastrës për “shpërdorim detyre”, duke pretenduar se nuk ishin dëmshpërblyer. Më pas dosja u transferua për kompetencë në SPAK.
Zamira Rami u zgjodh në krye të bashkisë Gjirokastër në vitin 2015 si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim me 54.47 % të votave. Pas vendimit të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet lokale të 2019, Rami nuk kandidoi për një mandat të dytë.