Pas gjashtë vitesh kancelarja gjermane Angela Merkel ri-vjen në Tiranë. Ndryshe nga vizita e 2015-ës, qëllimi i Angela Merkel, në mbyllje të karrierës së saj politike, është shtysa e fundit për përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra në “Procesin e Berlinit”.
Sot, takimin e parë kokë më kokë, kancelarja gjermane do ta ketë me kryeministrin Edi Rama në Pallatin e Brigadave, që do të pasohet nga një takim mes dy delegacioneve.
Me pas takimet do të zhvendosen në Tirana Business Park, pikërisht në një nga investimet kryesore gjermane në vendin tonë.
Kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, bashkë me kancelaren gjermane do të ulen në një tryezë të përbashkët, ku i gjithë diskutimi do të jetë për arritjet, objektivat dhe qasjen ndaj “Procesit të Berlinit”.
Dakordësitë ose jo të arritura do të deklarohen në konferencën e përbashkët që do të mbajë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri Edi Rama.
Procesi i Berlinit një nismë e Angela Merkel u krijua shtatë vite më parë, si një përpjekje për të mbajtur vendet e Ballkanit Perëndimor sa më afër Bashkimit Evropian, për aq kohë sa ai nuk ishte i gatshëm për tu zgjeruar me vende të reja.
Prej 2014 janë mbajtur një sërë samitesh, ku ndër marrëveshjet e arritura është ajo e krijimit të një tregu të përbashkët mes vendeve pjesëmarrëse deri në 2024-ën.
Sot nga shumë angazhimet e ndërmarra, janë të pakta ato të përmbushura siç është heqja e tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Më shumë se një vizite lamtumire, takimi i fundit i Angela Merkel me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë për të bërë një bilanc dhe për të dhënë këshilla për të ardhmen pa devijime të “Procesit të Berlinit”.
Jo pa arsye Angela Merkel takon fillimisht presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Beograd dhe më pas në Tiranë, kryeministrin Edi Rama, si dy nga nismëtarët e asaj që sot njihet si “Ballkani i Hapur”.
Nëse i referohemi deklaratave zyrtare të BE-së, kjo e fundi ka qenë gjithnjë për një nismë gjithëpërfshirëse, ndërkohë që sot Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina janë kundër “Ballkanit të Hapur” duke e cilësuar si një nisme pa vizion për rajonin.