36-vjeçari Elis Rroshkodol është ekzekutuar mesditën e kësaj të premte në një lokal në Shkodër, në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi”.
Ai është qëlluar me armë zjarri pistoletë, teksa ka qenë duke pirë një kafe.
Deri më tani, nuk ka detaje lidhur me ngjarjen, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave. Dyshimet janë që ngjarja të ketë ndodhur për hakmarrje.
“Rreth orës 12:30, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në një lokal, dyshohet se një shtetas i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Rr., rreth 36 vjeç, banues në Shkodër. Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe janë vënë në ndjekje të autorit”, njofton policia.
Gjithashtu është ngritur një grup hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë, për sigurimin e provave për dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje. Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit E. Rr., 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.
Por Elis Rroshkodol është i njohur për policinë belge dhe rumune, për shkak se njihet si person me precedent penal.
Në vitin 2023, 36-vjeçari ka plagosur me thikë një rumun dhe u arratis drejt Stambollit. Sherri ka nisur në një qebaptore dhe Rroshkodol ka goditur me thikën që mbante në dorë pronarin e një klubi nate.
Ndërsa në vitin 2014, është arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh të tjerë për grabitje në Belgjikë./vizionplus.tv