Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, që kryesohet nga avokati amerikan Gregory Kehoe ka thënë se klientit të tij i është ofruar garanci për lirim nga më shumë se një shtet.
Kehoe në shkresën e tij drejtuar Gjykatësit të Procedurës Paraprake ka thënë se dy shtete anëtare të NATO-s janë garantuese dhe ka kërkuar që Thaçit t’i mundësohet lirimi në njërën nga këto shtete.
“Më 30 qershor 2021, pas sigurimit të garancive nga dy shtete anëtare të NATO-s, njëra prej të cilave është shtet kontribuues i Dhomave të Specializuara të Kosovës, dhe në përputhje me mendimin e përbashkët të gjyqtarit Ambos, Mbrojtja kërkoi lirimin e z. Thaçi në vendet e treta të lartpërmendura.
Me qëllim të vlerësimit të realizueshmërisë së garancive të dorëzuara, Mbrojtja i kërkoi Gjyqtarit të Procedurës Paraprake që të kërkojë pikëpamjet e vendeve të treta të lartpërmendura në lidhje me lirimin e përkohshëm të z. Thaçi, ose në mënyrë alternative, të urdhërojë lirimin e përkohshëm të z. Thaçi në njërën prej këtyre dy vendeve të treta”, thuhet në dokumentin e Mbrojtjes së Thaçit dërguar Gjykatësit të Procedurës Paraprake.
Kehoe ka thënë se nuk ka rrezik që klienti i tij të ikë apo që të bëjë përpjekje për të penguar procedurat e Gjykatës, dhe gjithashtu thekson se s’ka ndonjë rrezik që Hashim Thaçi “të kryejë ndonjë vepër tjetër penale”.
Kehoe gjithashtu si argument për lirimin e Thaçit nga paraburgimi e përdor edhe garancinë e dhënë nga Policia e Kosovës.
“Në çfarëdo rasti, nëse kërkohet, z.Thaçi konfirmon se ai është i gatshëm që të pranojë arrestin shtëpiak nën çfarëdo kushti të arsyeshëm që Gjykata e Procedurës Paraprake e sheh të nevojshëm, përfshirë edhe kushtet standarde të arrestit shtëpiak për të plotësuar çdo kërkesë apo shqetësim të Prokurorisë dhe Gjykatës”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes.