Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ndodhet në Bruksel ku po merr pjesë në takimin që zhvillohet mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocijimit BE-Shqipëri.
Në fjalën e tij Balla theksoi edhe njëherë rëndësinë që ka nisja e negociatave për Liberalizimin e Vizave për Kosovën, si dhe theksoi rëndësinë që ka respektimi i afateve.
“Na informuan dje që ka një marrëveshje në Këshill për qytetarët e Kosovës të cilëve do t’u jepet regjimi pa viza pasi sitemi i ETIAS të jetë gati të vihet në punë që do të thotë që prej vitit 2023, por çfarë ndodh në rast se ETIAS nuk punon që prej datës 1 tetor, atëherë do të presin sërish qytetarët e Kosovës apo është pikërisht ajo që dëgjuam dje, që në 1 janar 2024 është afati përfundimtar?
Gjithashtu Balla falenderoi Komisionin Europian për mbështetjen e dhënë Shqipërisë gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019
“Dua të shpreh falenderimet tona për Komisionin Europian, për presidenten Von der Lyen por edhe për Parlamentin Europian për solidaritetin që të gjitha këto institucione si Këshilli, Parlamenti, Komisioni na kanë treguar pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Gjithashtu edhe fakti që Komisioni Europian mori në dorë konferencën e donatorëve që u organizua në Bruksel, falenderoj të gjithë ata që po bëjnë një punë të rëndësishme në Shqipëri pêrsa i përket shkollave që po ndërtohen në Shqipëri natyrisht me paratë e tatim paguesve europianë, shkolla të standardeve bashkëkohore. Do të ketë edhe takime në Tiranë por pas takimeve do të duhet që të bëni një vizitë tek këto shkolla që po ndërtohen falë mbështetjes suaj”, theksoi Balla.