Mazhoranca dhe opozita përplasen në Kushtetuese për 30 qershorin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Mazhoranca dhe opozita përplasen në Kushtetuese për 30 qershorin

Qeveria dhe opozita janë përplasur sot në Gjykatën Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit 2019, të cilat u bojkotuan nga PD dhe aleatët e saj.

Voltana Ademi, e cila është sot e vetmja kryetare bashkie e Partisë Demokratike së bashku me avokatin Jordan Daci ka argumentuar para gjyqtarëve, pse procesi i 30 qershorit është zhvilluar në shkelje të Kushtetutës e rrjedhimisht pse zgjedhjet lokale duhen përsëritur.

Argument kryesor i shoqatës së bashkive të drejtuar nga Voltana Ademi janë dekretet presidenciale për anulimin e procesit të 30 qershorit dhe caktimin e datës së re të zgjedhjeve në 13 tetor. Sipas përfaqësuesit ligjor të shoqatës, dekretet presidenciale janë në fuqi pasi vetëm Kushtetuesja ka fuqinë t’i shpallë ato antikushtetuese. Një tjetër argument për anti-kushtetutshmërinë e zgjedhjeve lokale ishte fakti që në 31 bashki garonte vetëm një kandidat duke iu mohuar qytetarëve të drejtën për të zgjedhur.

Përballë këtyre argumentave, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave Elira Kokona argumentoi se veprimet e presidentit me anulimin e më pas shtyrjen e datës cenojnë periodicitetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e sovranit. Kokona ka sjellë në vëmendje se Kushtetuta e ka përcaktuar qartë se kur mbahen zgjedhjet, njëherë në 4 vite, duke theksuar se çdo veprim i presidentit pasi ka nisur fushata zgjedhore është përfshirje në proces. Qeveria ka ngritur pikëpyetje të forta edhe në lidhje me legjitimimin e Voltana Ademit dhe shoqatës së bashkive në gjykatën kushtetuese. Për më tepër qeveria ka sjellë në vëmendje se kjo shoqatë ka një kryetar të ri pas zgjedhjes së Pjerin Ndreut.

Advertisement

Dy vjet më parë Shqipëria përjetoi një prej krizave më të forta politike. Opozita dogji mandatet, zhvilloi dhjetëra protesta disa prej të cilave të dhunshme e vendosi të bojkotojë zgjedhjet lokale.

Në datën 10 qershor Presidenti i Republikës anuloi 30 qershorin si datën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale dhe më pas në 27 qershor ai dekretoi 13 tetorin si datën për zhvillimin e tyre. Asnjë prej këtyre dekreteve nuk u mor parasysh nga KQZ e parlamenti dhe zgjedhjet u zhvilluan pa opozitën duke i dhënë kështu Partisë Socialiste drejtimin e 61 bashkive të vendit. Pavarësisht akuzave të opozitës ndaj procesit, 30 qershori u mbështet nga faktori ndërkombëtar.

Në 1 gushtin e 2019 Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet Matthew Palmer deklaroi se i vetmi institucion që mund të thotë nëse zgjedhjet lokale të 30 qershorit duhen përsëritur apo jo është Gjykata Kushtetuese .

Edhe Këshilli Europian në vendimin e marsit 2020 për hapjen e negociatave vë në dukje se duhet një vendim final për ligjshmërinë e procesit të 30 qershorit.

Advertisement

Për këtë arsye fati i zgjedhjeve të para pa opozitën në 3 dekadat e fundit varet tek vendimi i 7 gjyqtarëve të Kushtetueses.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy