Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka miratuar sot projektligjin për një qendër të përbashkët policore dhe doganore me Greqinë.
Edhe Partia Demokratike ka dalë pro, teksa deputeti i PD-së Ervin Salianji u shpreh se padiskutim që janë pro.
Zv.ministri i Brendshëm, Andi Mahila ka shpjeguar detajet nga marrëveshja, qëllimin që ka dhe si do zhvillohet.
Në fokus të kësaj marrëveshje është shkëmbimi i informacionit për çështje të përbashkëta. Zëvendësministri sqaroi se qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës dhe kjo nuk do të sjellë mbivendosje me organet doganore e policore, pasi qendra do të ketë detyra të mirëpërcaktuara dhe të pavarura nga detyrat e organeve doganore dhe policore.
‘Funksionimi i kësaj qendre nuk do sjellë mbivendojse me organet doganore policore pasi qëllimi është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet shkëmbimit të informacionit. Kjo është qendër e përbashkët e shkëmbimit dhe analizimit të informacionit. Kjo qendër trajton të gjithë çështjet dhe elementët që janë të ngjashme për të gjitha kalimit kufitar. Nuk është qendër e kalimit të përbashkët të mjeteve e mallrave. Shkëmbim informacioni për çështje të përbashkëta’.– tha Mahila.