Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë mbyllur kufirin nga Qafë-Thana për punëtorët sezonalë shqiptarë.
Mëngjesin e sotëm, mbi 50 shqiptarë të cilët do të shkonin drejt shtetit fqinj për punë sezonale, nuk janë lejuar nga autoritetet maqedonase të kalojnë doganën e Qafë-Thanës.
Motivacioni zyrtar nuk dihet, por korrenspondentja e Klan News në Korçë, Daniela Zisi, ka mësuar nga burime se vendimi për mbylljen e kufirit lidhet me vdekjen e një shqiptari në Maqedoninë e Veriut.
Sipas të njëjtit burim, bëhet fjalë për një punëtor sezonal shqiptar që ka humbur jetën të enjten gjatë një aksidenti në punë. Identiteti i viktimës nuk dihet ende.
Pas mbylljes së kufirit për punëtorët sezonalë, pala shqiptare është takuar me atë maqedonase për të diskutuar për këtë situatë dhe për kohëzgjatjen e këtij vendimi.