Duke filluar nga janari i vitit 2022 do të rritet masa e Ndihmës Ekonomike për familjet në nevojë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë, deklaroi se me buxhetin e vitit 2022 do të mundësohet rritja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, sipas 3 kategorive.
“Për programin e ndihmës ekonomike buxheti është rritur me rreth 15 milionë dollarë. Do të dyfishohet duke filluar nga Janari i vitit 2022 masa e ndihmës ekonomike për rreth 15 mijë familje përfituese të kësaj skeme, të cilat kanë mbi 3 fëmijë deri në 18 vjeç. Do të trefishohet masa e ndihmës ekonomike për fëmijët me status jetimi, për gratë e trafikuara dhe të dhunuara. Do të rritet për pjesën tjetër të përfituesve me 10% masa e ndihmës ekonomike sipas strukturës së familjes”, tha Manastirliu.
Duke bërë me dije vendimet e Këshillit të Ministrave, Manastirliu tha se qeveria shqiptare ka marrë gjithashtu vendimin për mbështetjen financiare të Spitalit Memorial Fier, me qëllim rritjen e gamës së shërbimeve për qytetarët.
“Vendimi i qeverisë që ne miratuam sot rrit mbështetjen financiare për Spitalin Rajonal Memorial, duke garantuar dhe rritjen e gamës së shërbimeve të reja që ky spital ofron. Dua ta theksoj është bashkëpunimi që ne kemi për transferimin e dijes dhe teknologjisë nga ekipet që vijnë në mënyrë periodike nga Turqia, duke garantuar jo vetëm zhvillimin e shërbimeve tona, por gjithashtu duke garantuar një cilësi shërbimi maksimale për qytetarët shqiptarë”, tha Manastirliu.
E pyetur nga gazetarët për festimet në natën e ndërrimit të viteve, Manastirliu apeloi për shmangien e grumbullimeve dhe festë me familjen e vogël.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar që data 31 të jetë një ditë e hapur duke qenë se ka bërë një vlerësim edhe më të gjerë të situatës edhe në rajon. Sigurisht që është shqetësues varianti Omicron i cili edhe në vendet europiane aktualisht ka një rritje progresive në ditët e fundit. Komiteti ka rekomanduar gjithashtu që të gjitha këto festa të jenë me familjen e vogël, pra me sa me më pak shkëmbime dhe kontakte. Dhe gjithashtu qytetarët të jenë të vaksinuar dhe me masa mbrojtëse, që do të thotë të jenë të testuar duke mbrojtur edhe ata të cilët janë më të riskuar”, theksoi Manastirliu.