Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka inspektuar investimet e reja të mamografisë dhe laboratorin e ri në Spitalin Rajonal të Fierit. Ajo tha se me instalimin e aparaturës së mamografisë në këtë spital, garantohet plotësisht ky shërbim në të gjitha spitalet rajonale, ku nga viti 2018 është investuar për shtatë mamografi të reja.
“Është një premtim i mbajtur investimi më i ri për Spitalin Rajonal të Fierit. Aparatura e re e mamografisë, e cila i shtohet zinxhirit të gjithë aparaturave që shërbejnë jo vetëm për parandalimin, diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, por i shërben mbi të gjitha edhe fuqizimit të rrjetit të sistemit tonë shëndetësor në raport me një program që për herë të parë e kemi ndërtuar, siç është programi kombëtar I depistimit të kancerit të gjirit. Me këtë investim përmbyllim investimet përsa i përket mamografive në të gjithë spitalet rajonale. Nga viti 2018 deri më tani kemi investuar në çdo spital rajonal, ku mungonte mamografia, mamografi të reja, me teknika bashkëkohore.”
Një tjetër investim në Spitalin Rajonal të Fierit është ngritja e shërbimit të ri të laboratorit, pjesë e rrjetit të 18 laboratorëve publikë të investuar përmes partneritetit publik-privat.
“Përfundon në fund të korrikut shtrirja e shërbimit të ri të laboratorit në të gjithë spitalet rajonale dhe deri në fund të gushtit e fillim të shtatorit edhe në dy spitalet bashkiake, duke sjellë një hov cilësor në dignostikimin dhe ndjekjen e pacientëve. Nëpërmjet këtij partneriteti ne kemi garantuar që jo vetëm të mos ketë ndërprerje të shërbimeve të laboratorit që janë kaq shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha të rritet gama dhe llojet e analizave të kryera në spitalet publike.”
Manastirliu shtoi se investimet në shëndetësi nuk do të ndalen, pasi objektivi është që të kemi katër pole diagnostikimi dhe trajtimi të plotë në katër qarqe të vendit.